Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, tani nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, është zgjedhur anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Politikani kosovar, deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për zgjedhjen e tij si anëtar i Akademisë së Shqipërisë, anëtarë të së cilës janë shumë emra eminentë, përfshirë Ismail Kadarenë, Lea Ypi, Anthony Giddens dhe nga Kosova Rexhep Qosja.
“Jam mirënjohës dhe kam kënaqësinë të pranoj zgjedhjen time anëtar të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, anëtarë të së cilës janë shumë emra eminentë, përfshirë Ismail Kadarenë, Lea Ypi, Anthony Giddens dhe nga Kosova Rexhep Qosja. Falënderoj shumë Presidentin e Akademisë, Prof. Dr. Fatos Tarifa dhe Kryesinë e saj, duke më bërë mua pjesë të këtij forumi intelektualësh eminentë mbarëshqiptarë dhe botëror!”, ka njoftuar Hoxhaj.
Enver Hoxhaj, politikan i njohur kosovar, shërbeu si Ministër i Punëve e Jashtme në dy mandate dhe ministër i Arsimit. Gjithashtu, gjatë procesit negociator (2005 – 2007), të udhëhequr nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, Hoxhaj ishte pjesë e delegacionit kosovarë në të gjitha takimet.
Ai gjithashtu ishte nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ushtrues detyre i kryetarit.