Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot për të diskutuar lidhur me procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
KQZ bëri të ditur se numri i vëzhguesve të akredituar deri më tani është 130, të cilët përfaqësojnë media, organizata jo-qeveritare vendore e përfaqësi diplomatike në Kosovë. Me afatin për aplikim sa i përket vëzhguesve që është i hapur deri më 15 prill 2024.
Në mbledhje u bë miratimi i Procedurave të votimit dhe numërimit, me 8 vota për dhe një abstenim.
“Në kuadër të kësaj procedure parashihet dhe shpjegohet gjithë procesi i votimeve, e poashtu edhe procedura e votimit dhe numërimit në vendvotim” – shpjegoi Arianit Elshani
Në mbledhje u miratua edhe Shqyrtimi dhe miratimi i Formave Zgjedhore, për procesin e votimit si dhe Shqyrtimi dhe miratimi i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për emërimin e rreth 280 anëtarëve të 73 Këshillave të Vendvotimeve që u takojnë 44 Qendrave të Votimit.
Poashtu, u bë miratimi i numrit të fletëvotimeve për vendvotime. Bazuar në Listën e Votuesve, numri i votuesve në këto komuna është 46,556, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,000 fletëvotime, pra 6,556 apo 14.1 për qind e fletëvotime më pak se votues.
Derisa, u bë e ditur se një anëtar i KKZ-së ka dhënë dorëheqje, dhe i njëjti është zëvendësuar nga një anëtar i të njëjtit subjekt politik.
Në anën tjetër, Burim Shehu është emëruar anëtar i Kuvendin Komunal në Kaçanik nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, duke e zëvendësuar Adnan Rekën.