Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka përshëndetur deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, të cilët e dënuan sulmin e Iranit ndaj Izraelit.
Por ish-kryeministri ka thënë se është mungesë respekti nga Kosova ndaj këtij vendi, fakti që ende s’ka ambasador atje.
Hoti shkroi në një postim në Facebook se po ndihet keq për faktin se qe 3 vjet prej kur Kosova mori njohjen nga Izraeli, atje përfaqësohet me të ngarkuar me punë, dhe jo ambasador shteti.
“Kjo është mungesë respekti e krerëve të shtetit të Kosovës ndaj njohjes që na erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë pas vitesh mungese të njohjeve. Kjo është mungesë respekti ndaj shumë marrëveshjeve që Izraeli ka nënshkruar me Kosovën pas shkëmbimit të misioneve diplomatike në shkurt 2021”, shkroi Hoti.
“Këta që më shanin në Kuvend për një marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e hidhnin dyshime për validitetin e kësaj njohjeje që erdhi direkt nga Shtëpia e Bardhë, duhet të tregojnë respekt e mirënjohje pë aleatët e Kosovës. Pa ta Kosova mbetet e izoluar, pa zhvillim, pa integrime euro-atlantike”, shtoi ish-kryeministri.