Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës rikonfirmon mbështetjen për institucionet kosovare dhe organizatat e shoqërisë civile në ndërtimin e kapaciteteve për parandalimin dhe reagimin ndaj rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, përcjell Reporteri.net.
Ambasada amerikane madje thotë se nuk ka asnjë gjë që e justifikon dhunën.
“Nuk ka asnjë justifikim për dhunën në familje dhe atë në bazë gjinore. Raportoni në: 0800 11 112 ose 192”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Nga viti 2010 deri në prillin e vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Pavarësisht se Kosova e ka miratuar Konventën e Stambollit më 2020, dhuna ndaj grave vazhdon të raportohet në këtë shtet.Kjo Konventë, e hartuar nga Këshilli i Evropës, është instrument obligues që detyron shtetet ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.