Fjalë Kyçe

Një muaj paraburgim administratorit të “Albkings”, Prokuroria del me apel për të dëmtuarit nga ky grup

Një muaj paraburgim administratorit të “Albkings”, Prokuroria del me apel për të dëmtuarit nga ky grup

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, administratorit të grupit “Albkings”, përcjell Reporteri.net.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në anën tjetër i ka bërë apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup u janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit, pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke vazhduar me trajtimin e këtij rasti”, thuhet në kumtesën për media.

Caktimi i masës së paraburgimit u bë sot pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

“AlbKings” ishte një grup i krijuar në Telegram, në të cilin postoheshin foto e video intime të grave që më pas shërbenin për shantazh. Grupi ishte mbyllur javë më parë, ndërsa të martën u arrestua njëri nga administratorët e këtij grupi.