Përditësuar, ora 15:40/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se deri në orë 15:00 në katër komunat në veri të Kosovës 203 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë.
Paraprakisht, deri në orën 11:00, vetëm 85 persona kishin votuar.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në Leposaviq kanë votuar 122 persona, në Zubin Potok 17 dhe në Mitrovicë të Veriut 64 persona. Sërish, sikurse edhe në njoftimin paraprak të KQZ-së, në Zveçan ende askush nuk ka votuar.
Ky proces po mbahet teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe.
“Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, tha Radoniqi, i cili shtoi se qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarë.
Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
“Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit”, tha DnV që po përcjell votimin nga afër përmes ekipeve mobile.
Mbi 80 qytetarë kanë votuar deri në orën 11:00 në katër komunat veriore
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se deri më tani 85 qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në referendumin që është duke u mbajtur në katër komunat veriore.
Ai tha se në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7, Zveçan 0 dhe Mitrovicë e Veriut 32 votues.
“Duke u mbështur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se Qendrat e Votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si në vijim: Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7, Zveçan 0 dhe Mitrovicë e Veriut 32 votues”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se në emër të KQZ-së, ftoj të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre.