E diela ishte ditë tragjike për familjet Aliti e Gashi nga Prizreni. Dy të rinj u aksidentuan me një veturë në Shirokë të Suharekës dhe fatkeqësisht humbën jetën. Një person tashmë është ndaluar, teksa kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Sot kanë dalë edhe pamjet e aksidentit që la të vdekur dy të rinjtë nga Prizreni.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.G., e dyshuar për aksidentin e së dielës në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën dy persona.
Lajmin e ka konfirmuar Fitore Mehmeti, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila tha se M.G dyshohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e aksidentit me fatalitet të ndodhur në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë M.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Lidhur me rastin, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, konfirmoi ajo.