Kanë kaluar rreth dy vite që kur Kiks Kosova raportoi për arrestimin e Trim Vokshit, në rastin e të cilit provat tregonin që ai mund të ishte duke qëndruar në burg padrejtësisht.
Pas raportimit të Kiksit, në maj të 2022-tës, gjykata vendosi që Trimi të gjykohej në liri.
Për këto dy vite, Trimi bashkë me Kiksin morën pjesë në shumë seanca.
Prej periudhës së rigjykimit, pra për rreth 2 vite, gjykata mbajti 10 seanca lidhur me rastin e Trim Vokshit.
E më 26 prill të 2024-tës, Trim Vokshit i është caktuar seanca përfundimtare, e ekipi i Kiks-it shkoi për të marrë vesh se çka do të vendoset për të.
Seanca filloi rreth orës 13:30 e përfundimi i saj ishte më i veçantë se sa përfundimi i të gjitha seancave më parë.
Lotët në sytë e Trimit e të nënë Fatmires, këtë herë ishin lot gëzimi.
Kjo për shkak se pas 5 vitesh që pafajësia po i qëndronte pezull, kjo seancë e liroi atë nga akuza.
Ani pse sigurinë në pafajësinë e tij e kishte maksimale, shpresat që do lirohej nga akuza Trimit ia kishte mbytur frika.
E parandjenja krejtësisht të ndryshme nga i biri kishte Fatmirja.
Për Kiksin, ajo rrëfeu se besimi në pafajësinë e të birit e bëri atë që të trokasë në çdo derë, hapja e së cilës mund të sillte drejtësi për të birin.
E pëtlotur, Fatmirja kujton vështirësitë që kaloi nëpër gjykata e burgje për 5 vite me radhë.
E tash që i biri iu lirua nga akuza për vjedhje, për Fatmiren ishte momenti më i lumtur në jetë.
Zvarritja e procesit gjyqësor për 5 vite, familjes Vokshi i solli dëme të mëdha materiale.
Sipas së ëmës, procesi gjyqësor pengonte Trimin që të shkojë e të punojë jashtë shteti.
E madje sipas saj, atij iu ndalua edhe marrja e pasaportës.
Tani kur lirisë së Trimit iu shtua edhe lirimi nga akuzat disavjeçare, për KIKS-in ai thotë se do të vazhdojë me punë si gjithmonë, pa nxjerrë probleme për veten e familjen.
Në mesin e emocioneve të shumta për familjen Vokshi, nuk munguan as ndjenjat e mirënjohjes dhe falënderimit kundrejt ekipit të KIKS Kosovës.
Vendimi që vuri drejtësinë në vend ishte i pritshëm për avokatin Arbër Gutaj, i cili po mbronte Trimin për më shumë se 2 vite.
Në një prononcim për KIKS-in, Gutaj flet për ecurinë e seancave ndër vite që si rezultat sollën pafajësinë e Trimit.
Mirëpo, vendimit të gjykatës nuk iu gëzua aspak pala e dëmtuar në atë grabitje.
Për KIKS-in, avokati i palës paditëse Prek Kolaj tha se ky vendim nuk iu duket i drejtë.
Sipas Kolajt, dëshmia e tatuazhit që solli pala e Vokshit për mbrojtje, nuk qëndron.
Kjo sepse sipas tij, Trimi u arrestua tre ditë pasi kishte ndodhur grabitja dhe tatuazhin mund të e ketë bërë gjatë atyre ditëve sa po qëndronte i lirë.
Për KIKS-in, Kolaj thotë se pala e tij po ndihet e rrezikuar dhe se presin ankesë nga Prokuroria lidhur me këtë vendim. /Klankosova.tv