Fjalë Kyçe

“Anëtarësimi në KiE forcon komunat”, Kurti takon nënkryetaret serbe në veri

“Anëtarësimi në KiE forcon komunat”, Kurti takon nënkryetaret serbe në veri

Kryeministri Albin Kurti ka takuar të mërkurën nënkryetaret serbe të komunave në veri, Katarina Agjançiq të Mitrovicës së Veriut, Natasha Tomaniqin e Zveçanit dhe Marina Bogojeviqin e Leposaviqit, për të cilat ka thënë se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre.

“Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serb të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave. Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu”, ka shkruar Kurti në Facebook ku ka njoftuar për takimin.

Në takim morën pjesë edhe ministrat Nenad Rashiq e Elbert Krasniqi.

Kurti ka thënë se komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt “është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi”.

Ai ka shprehur mirënjohje për nënkryetaret për punën dhe kurajën që t’u shërbejnë qytetarëve.