Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur të padrejtë vazhdimin e masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Ajo këtë qëndrim e ka potencuar në një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në një njoftim të Presidencës për takimin e së enjtes thuhet se në fokus të diskutimit ka qenë rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.
“Tutje, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për procesin e votimit në katër komunat veriore, me ç’rast Presidentja Osmani ripotencoi se vazhdimi i masave është i padrejtë dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet që përfundimisht të largohen ato. Në takim u diskutua edhe për një sërë të arriturash dhe projektesh të përbashkëta, në mesin e të cilave edhe fillimi zyrtar i Programit Kompakt të MCC-së në Kosovë, i cili projekt pritet ta transformojë sektorin e energjisë”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë të enjten se për heqjen e masave të vendosura kundër Kosovës do të vendosin vendet anëtare të bllokut evropian dhe jo politikanët në Kosovë, teksa i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili ka kërkuar që këto masa ndëshkuese ndaj vendit të hiqen.
Kurti ka thënë se Qeveria që ai e udhëheq i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese. Por Stano ka theksuar se masat Kosovës i janë vendosur për disa arsye.
“Kur i kemi vendosur masat, kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe se mund të hiqen. Por, për këtë vendosin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur? A do të hiqen të gjitha apo pjesërisht?”, ka thënë Stano.