Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar me raportin e “Reporterëve pa Kufij”, ku Kosova ka shënuar rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medieve.
Përmes një postimi, LDK ka shkruar se ky raport e ka rikthyer Kosovën në korridor të errët të censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes dhe të medieve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson tejet shqetësuese që Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e gjen Kosovën me një raport të ri alarmues, atë të “Reporterëve Pa Kufij”, i cili njëjtë si tre raportet e fundit, “Raportit të Progresit”, “Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit” dhe “Freedom House”, që flisnin për kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, ngjashëm edhe ky i fundit alarmon. Veçse në masë më të madhe, duke raportuar se Kosova shënoi rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medies, duke u renditur në vendin e 75 nga 56 sa ishte vitin e kaluar. Ky raport na ka rikthyer në një korridor të errët të censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes dhe të mediave. Ky nuk është thjesht një sinjal përkeqësues; është një alarm që duhet të na mobilizojë të gjithëve”, thuhet në postimin e tyre.
Po ashtu, LDK ka deklaruar se për një shoqëri që dëshiron të avancojë, duhet të ketë medie të lirë që sfidon, pyet dhe kërkon llogari.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh alarmuese këtë raport, i cili flet për ambientin tejet shqetësues të të bërit gazetari në Kosovë. Sepse, sot në këtë ditë botërore duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rëndësinë jetike të një shtypi të lirë dhe të pavarur, që është themeli i çdo demokracie të shëndetshme. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson po ashtu se demokracia nuk mund të mbijetojë në heshtje. Për një shoqëri që dëshiron të avancojë, duhet një media e lirë që sfidon, pyet dhe kërkon llogari. Prandaj, kjo situatë na bën të vetëdijshëm për sfidat që na presin dhe nevojën për të vazhduar punën me përkushtim të dyfishtë, për të mbrojtur dhe avancuar këto liri themelore”, thuhet tutje në postimin e tyre.
Ndër të tjerash, LDK është shprehur e gatshme të angazhohet që të rrisë përpjekjes në mbrojtjes e lirisë së shtypit.
“Në këtë Ditë Botërore të Shtypit, LDK do të angazhohet të rrisë përpjekjet në mbrojtjen e lirisë së shtypit, dhe të sigurojë një mjedis më të sigurt dhe më inkurajues për gazetarët në Kosovë. Le të mos lejojmë asnjë kufizim të na ndalojë nga synimi ynë i përditshëm për një shoqëri më të lirë dhe më transparent”, përfundon postimi i tyre.