Fjalë Kyçe

Tahiri: Qeveria ka dështuar në rrafshin e brendshëm dhe në atë të jashtëm

Tahiri: Qeveria ka dështuar në rrafshin e brendshëm dhe në atë të jashtëm

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka fajësuar Qeverinë për dëmtimin e mirëqenies së qytetarëve dhe prishjen e raporteve me faktorin ndërkombëtar.

Ai ka deklaruar se për shkak të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, qytetarët e Kosovës janë më të varfër dhe ballafaqohen me probleme serioze.

Sipas tij, problemi themelor i kësaj qeverie në tri vjet ka qenë mosfokusi ndaj problemeve që ndërlidhen me politikat e brendshme.

“Kosova është sot më e varfër, Kosova sot ballafaqohet me probleme serioze që lidhen me mirëqenien e qytetarëve. Pensionet janë të njëjta, pagat janë të njëjta, kushtet veçse janë vështirësuar, ndërsa çmimet janë ngritur në çdo aspekt. Në rrafshin e brendshëm ka një dështim total të menaxhimit të politikave të brendshme. Për tri vjet nuk kanë arritur të sjellin një ligj që e kishin kauzë, ligjin për sigurime shëndetësore. Është vendi i vetëm pa sigurime shëndetësore. Në rrafshin ndërkombëtar, Kosova vazhdon të jetë nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Në rrafshin e marrëdhënieve bilaterale, marrëdhëniet me SHBA-në kurrë s’kanë qenë më të dobëta”, ka thënë ai.

Tahiri ka fajësuar pushtetin edhe për migrimin e të rinjve. Ka deklaruar se Kosova rrezikohet nga ekzistenca e njerëzve për shkak të mungesës së perspektivës.

“Kjo është Qeveria më e dobët në trajtimin e mirëqenies qytetarëve. Pra, qytetari Kosovës është më i varfër, e më me pak shpresë. Migrimi i të rinjve nuk ka qenë kurrë më i madh. Është duke u rrezikuar ekzistenca e njerëzve në Kosovë për shkak të mungesës së perspektivës dhe shpresës”, ka thënë ai. /EkonomiaOnline