Fjalë Kyçe

Gjatë festës së Shën Gjergjit në Gjakovë, theren me thikë dy persona

Gjatë festës së Shën Gjergjit në Gjakovë, theren me thikë dy persona

Festa e Shën Gjergjit që u manifestua të hënën në tyrben ‘Pulë’ në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë u shënua me një incident të rëndë. Një tentim vrasje u raportua në orët e pasdites, ku dy persona kanë mbetur të therur me thikë, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, rasti ndodhi rreth orës 14:00, teksa një numër i konsiderueshëm i qytetarëve po merrnin pjesë në këtë manifestim tradicional, kur papritmas plasi sherri.

Një konflikt verbal në mes të disa palëve eskaloi në përdorimin e thikës dhe për pasojë një 26-vjeçar dhe një 20-vjeçar u sulmuan.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se si pasojë e kësaj përleshje edhe tre persona të tjerë pësuan lëndime trupore, ndërsa të dyshuarit arritën që të iknin nga vendi i ngjarjes.

Pasi rasti u denoncua, njësitë policore intervenuan në vendin e ngjarjes, ku edhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në spital.

Njëri prej tyre është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por sipas informacioneve të para, është jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.