Policia e Kosovës ka shkatërruar një laborator droge për kultivimin e kanabisit në fshatin Miokovicë të Leposaviqit të martën. Për rastin është arrestuar një person me inicialet M.I., ndërsa një tjetër S.S. po kërkohet nga Policia.
Sipas njoftimit të Policisë, bastisja është kryer në një shtëpi banimi të të dyshuarit me iniciale M.I. dhe objektet përcjellëse, “ku në një objekt përcjellës banimi në një dhomë është gjetur një laborator i improvizuar për kultivimin e bimëve të dyshuara të kanabisit”.
“Operacioni policor ka rezultuar me gjetjen e gjithsej 409 bimëve të dyshuara të kanabisit me gjatësi prej 5 deri në 15 cm, një pushkë gjuetie me gjithsej 43 fishek të gjuetisë, si dhe pajisje tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poqa, ventilim, termostate, nxehëse, etj.), si dhe një jakne e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Njësia e forenzikës, siç thotë njoftimi, ka bërë fotografimin dhe sekuestrimin e dëshmive.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa S.S. ende po kërkohet nga Policia.