Qeveria e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë kryeministri Albin Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, duke e quajtur për keqardhje mungesën e përkrahjes nga shtetet aleate.
Kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar absurde kërkesën e Francës dhe të Gjermanisë që të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese drafstatuti i Bashkimit Evropian për Asociacionin, si kusht për anëtarësim në KiE. Ai e ka quajtur drafstatutin “jodokument” dhe “non paper”.
Ai ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se kjo është konfirmuar nga të gjitha raportet e deritashme e madje edhe votimi në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në prill.
Kushtin e ri, Kurti e ka cilësuar si jashtë standardeve të anëtarësimit.
Ai ka përsëritur se Kosova ka ofruar që draftstatuti i sjellë nga Bashkimi Evropian dhe shtete anëtare të përfshihet në pakon me marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit, por se përpjekja nuk ishte përmbushur për shkak se Serbia ka refuzuar nënshkrimin e pakos.
“Refuzimi s’është pranim. Refuzimi është refuzim. Nëse më 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes vetëm atëherë ai drafstatut do të mund të dërgohej në Gjykatë. Drafstatuti i emisarit Lajçak dhe emisarëve të tjerë dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument, është nonpaper. Qeveria nuk mund të dërgojë dokumente që s’janë zyrtare”, ka thënë ai.
Kurti më tej ka thënë se kërkesa që të shtyhet si kushtëzim Asociacioni “jo vetëm që s’është parimore e vlerore” por është refuzuar edhe nga vetë organizata.
Ai ka thënë se përtej garancive që ka ofruar në letërën me zotime bashkë me presidenten dhe kryeparlamentarin, nuk mund të kërkohet.
“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por assesi nuk mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokraci, e më herët ishin krah neve për çlirim”, ka thënë ai. “Mungesa e përkrahjes është për keqardhje”, ka shtuar Kurti duke thënë se ajo nuk i ndihmon normalizimit.
Kryeministri tutje ka thënë se Kosova do anëtarësim meritor sepse konsideron se e meriton anëtarësimin.
“Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Lajçak sepse është refuzuar më 26 tetor 2023 e dy ditë para kësaj kam dorëzuar vërejtjet e mija kapitale për atë drafstatut. Qeveria s’e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacion. Për normalizim bisedojmë në Bruksel jo në Strasburg. Neni 7 i Marrëveshjes bazike edhe i ndërlidhur me nenin 10 s’mund të nxirret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj e as sipër saj si një çështje urgjente”, ka thënë Kurti në fund të fjalimit.
Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, kanë përsëritur të hënën se procedimi i drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj.
Britania e Madhe është shteti më i fuqishëm brenda KiE-së që i ka ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë.
Derisa shtetet e QUINT-it ia kanë përmendur Asociacionin si parakusht, kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar mbështetjen pa kushte edhe të Holandës, Suedisë, Belgjikës dhe Finlandës.
Pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, tani çështja e anëtarësimit të Kosovës kalon në duart e ministrave të Jashtëm të KiE-së, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Mbledhja e radhës e ministrave do të mbahet më 16-17 maj.