Fjalë Kyçe

Paraburgim të dyshuarit për shpërndarjen e të dhënave personale të grave në “Albkings”

Paraburgim të dyshuarit për shpërndarjen e të dhënave personale të grave në “Albkings”

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit V.A., i cili shpërndante të dhëna personale të grave në grupin “Albking” në Telegram. Ai po dyshohet për veprën penale “Ngacmim”.

Sipas Gjykatës, V.A. ka vënë në shqetësim dy të dëmtuara A.TH-M dhe A.A. duke ia shpërndarë numrat e telefonit në grupin “Albkings”. Të dëmtuarat, sipas Gjykatës, më pas kanë pranuar thirrje nga anëtarët e grupit duke u kërkuar takime e favore.

V.A. dyshohet se ka vepruar ngjashëm edhe me persona të tjerë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.A që nga data 06.05.2024 dhe në vazhdim me dashje dhe me qëllim të ngacmimit është përfshirë në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme me qëllim të ngacmimit, duke i vënë në shqetësim të madh emocional, të dëmtuarat A.Th-M dhe A.A, ashtu që numrat e telefonave të tyre i kishte shpërndarë në një grup i quajtur “Albkings” në aplikacionin Telegram dhe pastaj anëtarët e këtij grupi kishin filluar t`i kontaktonin të njëjtat përmes telefonave të tyre si dhe aplikacioneve të ndryshme në internet, duke kërkuar nga të dëmtuarat takime si dhe favore, po ashtu ekzistojnë dyshime të bazuara se i njëjti ngjashëm ka vepruar edhe ndaj personave tjerë, duke shpërndarë të dhëna dhe numra të telefonit në ketë grup, fotografi të ndryshme në forma dhe përmbajtje degraduese për vajza dhe gra, duke i etiketuar dhe fyer me terma nënçmuese, e që të njëjtave ju ka shkaktuar shqetësim të madh emocional”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.