Patriarku serb Porfirije ka thënë se herët apo vonë dyert e Patrikanës së Pejës do të hapen “për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë”, raportoi të martën agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.
“Autoritetet e Prishtinës nuk më lejuan mua dhe kryepeshkopët të mblidhemi në Patrikanën e Pejës. Herët apo vonë dyert e atij manastiri do të hapen për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë”, ka thënë ai.
Ai shtoi se liturgjia është paraparë të shërbehej të martën në Patrikanën e Pejës.
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ka refuzuar kërkesën e patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patrikanën e Pejës gjatë ditës së sotme.
Përmes një postimi në Facebook, MPJD-ja ka thënë derisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, nuk do të lejohen vizitat.