Fjalë Kyçe

Nis takimi trepalësh në Bruksel

Nis takimi trepalësh në Bruksel

Ka nisur rundi i gjashtë i diskutimeve në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

Takimi trepalësh ka nisur pak para orës 10:00, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kur bëhet fjalë për pritshmërisë e BE-së nga ky takim, ata janë shprehur optimistë edhe këtë herë. Një gjë të tillë, Lajçak e tha edhe gjatë ditës së hënë. Ndërmjetësi evropian ka konfirmuar se do të jetë nikoqir i takimit të kësaj jave mes ndërmjetësuesve nga Kosova dhe Serbia. Ai është shprehur i bindur se do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.

Kushtëzimi me Asociacionin, Osmani bisedon me presidentin gjerman – i thekson rëndësinë që Kosova të jetë në KiE
Takimi i pestë ndërmjet palëve ishte në javën e fundit të prillit. Pas takimit të fundit me 25 prill, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pas takimit akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi më 25 prill tha se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë”.

Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.

“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi.

Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik. Pas 12 majit të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro.

I pyetur se çfarë do të ndodhë pas 11 majit kur përfundoi periudha transitore , kryeministri Albin Kurti gjatë javës tha “vjen 12 maji”.

Kurti u pyet në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën e kaluar se a do të ketë plan konkret apo do të priten rezultate konkrete nga takimet e vazhdueshme të kryenegociatorëve në Bruksel për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Tha se nuk i përzihen BQK-së.

“Pas 11 majit, vjen 12 maji, e kështu me radhë, por konkretisht, lidhur me çështjen e dinarit, të cilin ne nuk e kemi ndaluar si të tillë, por si mjet pagese, dhe kjo është bërë nga Republika e Kosovës, jo nga Qeveria e Republikës, sepse është bërë nga Banka Qendrore e Kosovës me rregulloren e re, ata janë edhe më lart se ne, edhe para nesh në ecjen e mëtutjeshme. Pra, si për këto zgjedhjet që u organizuan në veri, kur e kishim KQZ-në, Komisionin Qendror Zgjedhor më lart se ne dhe para nesh, edhe për çështjen e dinarit, e kemi BQK-në, Bankën Qendrore të Kosovës më lart se ne dhe para nesh”, tha ai.

Kurti tha se “ka pasur përpjekje të vazhdueshme që vënë në një pozitë ku ai vendosë edhe për Bankën Qendrore të Kosovës, për vendimet e tyre, e kështu me radhë”.

“Kjo ndodh në shtetet diktatoriale, kjo ndodh në regjimet autoritare. Ne jemi shtet demokratik. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës është votuar në të njëjtën sallë ku jam votuar edhe unë. Ai nuk më raporton mua, ai i raporton Kuvendit të Republikës, prandaj nuk mundem unë t’i sipërvendosem guvernatorit. Ne duhet ta ruajmë Republikën tonë, ndarjen e pushteteve, që është thelbësore për demokracinë në vend. Prandaj, për çështje për të cilat ka vendosur Banka Qendrore e Kosovës dhe planet e zbatimit, me faza e afate, përgjigjen ata. Ne jemi për t’i mbështetur ata, jo për t’i udhëhequr ata”, tha kryeministri.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha dje se blloku pret nga palët të gjejnë një zgjidhje të përkohshme dhe të qëndrueshme mbi këtë çështje.

“Ata do të vazhdojnë diskutimet për të gjetur një zgjidhje të përkohshme dhe të qëndrueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore për pagesat me para në dorë. Bashkimi Evropian pret nga të dyja palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha ai.