“Nuk dua që dikush të mendoj se unë i kam thënë ndonjëherë ato gjëra të tmerrshme. Të përdorësh një vajzë ukrainase si fytyrë për promovimin e Rusisë. Është çmenduri”.
Olga Loiek e ka parë fytyrën e vet në dhjetëra video në rrjetet sociale të Kinës – ishte rezultat i veglave të inteligjencës artificiale për gjenerim të fytyrës, shkruan BBC.
“Mund ta shihja fytyrën time dhe të dëgjoja zërin tim. Ishte e frikshme sepse e pashë veten duke thënë gjëra që nuk i kam thënë kurrë”, ka thënë 21-vjeçarja që studion në Universitetin e Pennsylvanias.
Llogaritë me fytyrën e saj kishin emra të ndryshëm si: Sofia, Natasha, April dhe Stacy. Këto vajza po flisnin në gjuhën mandarine, gjuhë të cilën Olga nuk e di. Ato dukej se ishin nga Rusia dhe po flisnin për miqësinë mes Kinës dhe Rusisë ose reklamonin produktet ruse, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“E pashë që 90 për qind të këtyre videove po flisnin për Kinën dhe Rusinë, miqësinë mes Kinës dhe Rusisë, të cilat janë aleate të forta. Gjithashtu kishte reklama të ushqimeve”, rrëfen Olga.
Një llogari me emrin “Natasha importoi ushqim” kishte më shumë se 300 mijë ndjekës. “Natasha” thoshte gjëra si “Rusia është vendi më i mirë në botë. Është keq që shtetet tjera po ia kthejnë shpinën Rusinë dhe gratë ruse dëshirojnë të vijnë në Kinë”, ka thënë ajo teksa promovonte ëmbëlsirat ruse.
Kjo e ka shqetësuar Olgën, familja e së cilës jeton ende në Ukrainë.
Mirëpo në nivel më të gjerë, rasti i saj ka tërhequr vëmendjen për rrezikun nga përdorimi i teknologjisë.
Kopjet e Olgës që flisnin gjuhën mandarine nisën të shfaqeshin në vitin 2023 – menjëherë pasi nisi kanalin në YouTube të cilin nuk e përditësonte rregullisht.
Një muaj më vonë ajo nisi të pranonte mesazhe nga njerëzit që thoshin se e kanë parë duke folur gjuhën mandarine në rrjetet sociale të Kinës.
E intriguar nga këto mesazhe, ajo nisi të kërkonte për fotografitë që ishin të ngjashme me fytyrën e saj.
“Kishin shumë ngjashmëri. Disa kishin fotografi të flamurit rus në biografi”, ka thënë Olga që ka gjetur 35 llogari me fotografinë e saj.
Më shumë se 4 mijë e 900 video janë gjeneruar duke përdorur fotografinë e saj. Shumica janë bllokuar ose fshirë.