Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale ka zhvilluar sot një aksion në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, PSRK-ja njofton se janë bastisur tri lokacione, teksa të arrestuarit dyshohen për veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ dhe ‘Detyrimi’.
“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, ka realizuar një bastisje në tre lokacione në rajonin e Pejës, ku kanë arrestuar dy persona me inicialet K.K dhe A.M, për kryerje të veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së lidhur me veprën penale, “Detyrimi”, nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, të njëjtit janë dërguar në ndalim për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj dy të ndaluarve.