Në mungesë të dëshmitarit Liridon Berisha ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Hilmi Dudit dhe Remzi Jahirit që akuzohen për veprën penale të fajdes.
Gjykatësja e rastit Suzana Çerkini tha se për dëshmitarin Berisha gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje nën shoqërim të Policisë për të dhënë dëshminë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për dëshmitarin Berisha gjykata paraprakisht ndërpreu seancën në mënyrë që të pritet nëse i njëjti do të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij pasi që nga Stacioni Policor i Gjilanit dhe vet dëshmitari i është thënë gjykatës se i njëjti do të paraqitet.
Mirëpo gjykatësja e rastit Çerkini tha se nuk mund të pritet në pafundësi dëshmitari Berisha me që rast tha se do të kërkohet raport nga Policia Kosovës për moszbatim të urdhëresës ndërsa për dëshmitarin Berisha do të ripërsëritet urdhëresa për sjellje nën shoqërim të Policisë për seancës e radhës.
“Për dëshmitarin Liridon Berisha gjykata do të përsërisë urdhëresën për sjellje me shoqërim dhe do të kërkoj nga Stacionin Policor në Gjilan që u është lëshu paraprakisht urdhëresa që të përgatisin një raport me shkrim për moszbatim të urdhëresës për datën e sotme”, tha gjykatësja Çerkini.
Në këtë rast me 31 tetor në mungesë të avokatit Fanol Krasniqi kishte dështuar të mbahej gjykimi planifikuar.
Gjithashtu edhe seanca e 28 marsit 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Remzi Jahiri, i cili kishte qenë jashtë vendit për shkaqe shëndetësore. Ndërsa, seanca e 8 majit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.
Ajo e 17 korrikut 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Hilmi Dudi i cili mungoi për shkaqe shëndetësore. Edhe, seanca e 12 tetorit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.
Kurse, seanca e 13 tetorit 2023 dështoi shkaku se i akuzuari Hilmi Dudi nuk e ka pranuar avokatin zëvendësues Muhamet Mehmeti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 22 prill 2022, Remzi Jahiri ngarkohet se ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve Valon Maliqeviq, Drilon Maloku, Liridon Berisha dhe Valon Krasniqi, duke u dhënë para me fajde në shuma të ndryshme, me kamatë mujore e duke pranuar para në shuma dukshëm joproporcionale.
Ndërsa, për të akuzuarin Hilmi Dudi thuhet se nga viti 2018 deri më 24 tetor 2019, në restorantin e “Petrol Company” në Fushë-Kosovës, ka ndihmuar të akuzuarin Jahiri në dhënien dhe marrjen e parave për të dëmtuarit e lartcekur, në atë mënyrë që sa herë të dëmtuarit kanë marrë paratë si në dispozitivin e aktakuzës, si dhe kanë kthyer paratë nga i akuzuari Jahiri, prezent ka qenë edhe i akuzuari Dudi.