Fjalë Kyçe

Kosova nënshkruan marrëveshje me SHBA-të kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja

Kosova nënshkruan marrëveshje me SHBA-të kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim nënsekretaren e SHBA-së për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, ku kanë nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së ShBA-së dhe Kosovës kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Pas takimit, presidentja Osmani theksoi se SHBA është aleati kryesor i Kosovës dhe se partneriteti do të vazhdojë, transmeton Telegrafi.

“Vizita e sekretares Allen simbolizon jo vetëm partneritetin e palëkundur të Kosovës dhe SHBA-së, por dëshmon edhe përkushtimin tonë të ndërsjellë për bashkëpunim me qëllim të luftimit të sfidave të përbashkëta, kjo mbështetje po vazhdon edhe sot”, theksoi ajo.

Osmani tha se është shumë e lumtur për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur që nënshkruam një marrëveshje, në mënyrë që të bashkojmë forca kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Fushat dezinformuese paraqesin kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Këto fushata duan të cenojnë demokracinë e vendeve tona”, potencoi mes tjerash ajo.

Në konferencën e përbashkët, presidentja tha se as Kosova nuk ka qenë e kursyer nga sulmet si ndikim i Rusisë në Ballkan.

“As Kosova nuk është kursyer nga këto sulme si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj në Ballkan, Serbisë. Ne si demokraci duhet të bashkohemi që ato sulme të mos arrijnë sukses”, u shpreh presidentja.