Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Partisë. Foto: Lumir Abdixhiku / FB
Kryetari i Lidhjes Demokratike në Kosovë, Lumir Abdixhiku, tha se qeverisë aktuale populli i ka dhënë një pushtet aq të madh sa që edhe arsyetimet bëhen të pakuptimta përball saj.
“Tre vite e gjysmë më parë, populli i Kosovës i dha këtij pushteti besim të pashoq politik, i dha shumicën e pakontestueshme parlamentare, të drejtën e marrjes së vendimeve vet, dhe me këtë shumicë i dha gjithë përparësitë e një pushteti stabil, një fuqi politike si asnjë pushtet paraprak. Para një fuqie të tillë arsyetimet bëhen të pakuptimta, para një fuqie të tillë dështimi bëhet paradoksal”, tha ai.
Shefi i LDK-së e vlerëson të dështuar nga ana e qeverisë këtë periudhë.
“Aq vështirë është të dështosh në 51 për qind, sa dështimi në vete është një lloj mjeshtërie – veçse mjeshtëri e mbrapsht “, deklaroi Abdixhiku.
Ndër të tjera, ai këtë periudhë të udhëheqjes e quan moment kritik, për faktin që partia në pushtet e ka shumicën e votave.
“Për fatin tonë të keq, dhe fatet e këqija paradoksalisht kombeve u vijnë në momentume kritike historike, fuqinë politike të një pushteti shumicë, që në demokraci përkthehet në fuqi absolute, ky pushtet nuk e përdori për të avancuar shtetin në rrugëtimin e domosdoshëm konsolidues dhe në një moment shumë të favorshëm ndërkombëtar, por e përdori për të ushtruar arrogancë, për të ushqyer propagandë, e për të ndjellë polarizim ndërshoqëror, që vendin tonë të vogël e ndau thellë, e mbylli rëndë dhe e kurthoi keq”, u shpreh kreu i LDK-së.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Abdixhiku tha se LDK-ja është e gatshme të kërkojë besimin qytetar, e gatshme të marrë dhe përgjegjësinë e të projektojë të ardhmen “që ky pushtet ka ngufatur me qëllim”.
“Për të bërë këtë gjë, ka vetëm një rrugë, i thonë dorëheqje e menjëhershme e Qeverisë, si përgjegjëse e vetme e rrënimit të shtetësisë, krijimit të autonomisë, ngecjes ekonomike, polarizimit kombëtar, e eksodit të popullsisë! Fillimisht dorëheqja, më pas shpërbërja, në fund zgjedhjet! Ky është qëndrimi i LDK-së”, theksoi Abdixhiku.
Ai këto i tha sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Aty temë kryesore ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe zhvillimet politike aktuale në vend.