Fjalë Kyçe

Shkëmbimet tregtare Shqipëri–Kosovë, tre mujori i parë i këtij viti me rritje

Shkëmbimet tregtare Shqipëri–Kosovë, tre mujori i parë i këtij viti me rritje

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë ardhur në rritje vit pas viti, kjo jo vetëm si pasojë e rritjes se kërkesës në treg, por edhe lehtësimit të një sërë procedurash doganore që erdhën pas marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.

Eksportet e mallrave nga Shqipëria drejt Kosovës zënë edhe volumin më të madh tregtar mes dy vendeve ose e shprehur në shifra, në tre mujorin e parë të këtij viti, eksportet janë rreth 30 mijë ton më shumë se tre mujori i parë i vitit të kaluar.

Importet janë rritur me 7 mijë tonë tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, njofton Televizioni publik shqiptar.

Ajo çfarë bën diferencën në shkëmbimet tregtare është sasia e lartë e mallrave që eksportohen nga Shqipëria drejt Kosovës, krahasuar me sasinë e mallrave të importuar nga Kosova drejt Shqipërisë, diferencë që shkon gati katër-fishin më shumë eksport se sa import.

Por nëse kemi një rritje të sasisë së mallrave në eksport importe, ndryshe paraqitet situata në vlerë monetare, pasi në tre mujorin e parë të këtij viti nga eksportet me Kosovën kemi rreth 1 miliard lekë më pak se tre mujori i parë i vitit 2023, ndërsa importet janë në të njëjtat vlera monetare.

Materialet e ndërtimit dhe mineralet e papërpunuara janë kryesisht sasia më e madhe e mallrave të eksportuara, por në volumin tregtar bëjnë pjesë edhe energjia elektrike, hidrokarburet, produktet bujqësore e blektorale bashkë me nënproduktet e tyre, agrumet, mobiliet, medikamentet mjekësore etj.

Pavarësisht zgjerimit të ambienteve në doganën e Morinit, e me dy korsi të dedikuara për mjetet e transportit të mallrave, fluksi i madh i mjeteve që transportojnë mallra nga Shqipëria drejt Kosovës krijojnë radhe të gjata, të cilat shpeshherë kalojnë një ose me shumë kilometër në brendësi të territorit tonë.

Një pjesë e mirë e mjeteve që transportojnë mallra drejt Kosovës kalojnë tranzit, pasi procedura e zhdoganimit të tyre kryhet në Durrës, në doganën e Kosovës e cila funksionon për më shumë se një vit.