Fjalë Kyçe

DASH: Normalizimi Kosovë-Serbi e vetmja rrugë, synimi i SHBA-së është njohja reciproke

DASH: Normalizimi Kosovë-Serbi e vetmja rrugë, synimi i SHBA-së është njohja reciproke

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se i vetmi opsion i Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian është normalizimi i marrëdhënieve.

DASH-i ka thënë se SHBA-ja nuk ndryshon qëndrim sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian si rrugë për arritjen e një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive mes të dyja shteteve.

“E ardhmja e të dyja shteteve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara. Ne presim që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha zotimet e tyre nga dialogu, plotësisht dhe pa vonesë apo parakushte”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për KOHËN.

Synimi afatgjatë politik i SHBA-së është “njohja eventuale e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë më tej.

Reagimi nga SHBA vjen pas bujës që ka bërë deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se nuk mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Por, se nuk ka anëtarësim pa normalizim të raporteve me Kosovën, e ka thënë edhe Bashkimi Evropian një ditë më herët. Këtë e ka mbështetur edhe Gjermania.