Duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Robertson thekson nevojën që të ketë fund të dhunës në rajon dhe të ndryshojë imazhi i Ballkanit Perëndimor nga të qenit një zonë problematike në diçka që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane.
Për këtë arsye, ai nënvizon se siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme për perëndimin dhe NATO-në. Megjithëse thotë se s’ka rrezik të një lufte të re në rajon, ai ngrit shqetësimin se nëse Rusia ka sukses në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor do të jenë një zonë tjetër ku presidenti rus, Vladimir Putin do të bëjë telashe.
Robertson i cili ka qenë ministër i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, thotë se siguria në Kosovë dhe rajon do të ketë rëndësi në të ardhmen, pasi do të sjell më shumë investime dhe ngritje të kapitalit për brezin e ri.
“Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu…Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri”, thotë ai.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka potencial të madh, andaj vendet perëndimore duan të shohin përfundimisht fund të dhunës në këtë zonë.
“Çdo dhunë duhet të dënohet dhe unë e dënoj atë pa rezerva. Por ne duhet të shohim përfundimisht një fund të dhunës në këtë rajon. Ky rajon ka potencial të madh, por duhet të ndryshojë imazhin e të qenit një zonë problematike në një zonë që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane”, deklaron Robertson.
Ai thekson se pavarësisht tensioneve momentale, nuk ekziston një rrezik i luftës në Ballkanin Perëndimor, mirëpo sipas tij, Rusia po ndërhyn në rajon përmes luftës kibernetike.
Robertson shton se është shumë e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë.
Sipas tij, nëse Putin ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe.
“Nuk besoj se ekziston rreziku i luftës në Ballkan, por Rusia po ndërhyn në këtë rajon ashtu siç po sulmon Ukrainën. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë. Nëse ai ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe”, thekson Robertson.
Duke folur për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, Robertson thotë se anëtarësimi i plotë në i Kosovës në NATO, do të sillte paqe të qëndrueshme në rajon.
Megjithatë, ai thotë se anëtarësimi tashmë është çështje e strukturave aktuale të aleancës më të madhe ushtarake veri-atlantike.
“Anëtarësimi në NATO është çështje e organizatës së NATO-s. Unë jam një ish-sekretar i përgjithshëm, nuk kam asnjë kontroll mbi atë që po ndodh sot”, përfundon Robertson.
Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, qëndroi në Kosovë gjatë kësaj jave në nderim të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës./Kosovapress