I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit James Rubin ka vlerësuar se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje.
Zyrtari i lartë amerikan, i cili luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovës, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se aktualisht ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Kosovës po luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e asociacionit.
Rubin foli edhe marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, të cilat kanë kaluar nëpër momente tensionesh gjatë këtij viti.
“Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë. Kjo është dëshmuar kur kam qënë në Kosovë, kur sekretarët e shtetit kanë vizituar Kosovën, kur Presidenti Clinton shkoi atje… populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje. Por, po, në aspektin diplomatik, marrëdhëniet nuk janë aq të mira aktualisht, por kjo ndodh për shkak se çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë barrë për banorët e rajonit.”, u shpreh ai.
Rubin u shpreh se qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohj ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk do të dëshiroja të futesha në mes të dy ambasadorëve, por mund të them se qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohje. Është vështirë të imagjinosh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje dhe fakti që disa shtete të tjera që janë pjesë e BE-së, nuk e njohin Kosovën, nuk ka lidhje me qëndrimin amerikan. Kosova dhe Serbia kanë probleme. Probleme duhet të zgjidhen. Ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Ky është kuptimi i standardeve të BE-së. Si amerikanë ne nuk i themi Bashkimit Evropian se çfarë duhet të bëjë. Prandaj pikëpamjet e ambasadorëve amerikanë për atë mendon BE-ja nuk janë të rëndësishme. Me rëndësi është cili është qëndrimi ynë dhe qëndrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjellë të dy vendeve.”, shtoi Rubin.
Ai foli edhe për shqetësimet lidhur me fushatën e dezinformacionit të përhapur nga Rusia dhe Kina në Ballkanin Perëndimor.
“Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë një prej kërcënimeve më të mëdha të epokës tonë dhe Perëndimit i është dashur kohë për ta kuptuar shkallën e luftës informative që Rusia dhe Kina kanë zhvilluar kundër nesh. Prandaj na duhet të punojmë më shumë për t’u mbrojtur nga ky kërcënim. Nisma për Ballkanin Perëndimor synon të ndihmojë shtetet e Ballkanit, ato që duan të anëtarësohen në BE, që po punojnë për të përmbushur standardet e BE-së, për të hartuar procedura, politika, plane, për të ngritur kapacitetet, pra po hartojmë atë që e quajmë korniza për të luftuar informacionin e huaj. Kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi me disa shtete të Ballkanit për t’i ndihmuar që të ballafaqohen me këtë sfidë. Rusia e përdor dezinformimin në gjithë botë, por në veçanti në Ballkanin Perëndimor. Ata po operojnë përmes (agjencisë ruse të lajmeve) ‘Sputnik Serbia’, përmes ‘RT Serbia’ që fatkeqësisht ende vazhdon të transmetojë . Dhe për shkak se shumë shtete flasin të njejtën gjuhë në Ballkanin Perëndimor, këto lloj informatash përdoren, ripërdoren dhe manipulohen. Po përpiqemi t’i ndihmojmë shtetet e rajonit të mbrohen ndaj tyre, duke patur parasysh që të gjitha ato duan të anëtarësohen në BE duhet të përmbushin standardet e BE-së dhe një prej tyre është parandalimi i manipulimit të informacionit në vendet e tyre. Po përpiqemi t’i ndihmojmë të bëhen gati për këtë dhe në proces e sipër shpresojmë që ato do të përmirësojnë bashkëpunimin me njëra-tjetrën.”, tha Rubin.