Një 47-vjeçare ka vdekur të enjten në Prizren, pasi dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit të një ndërtese nga kati i dytë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë për KOHËN se viktima fillimisht është dërguar në Emergjencën Spitalore, por nuk ka arritur t’i bëjë ballë lëndimeve të marra.
Rasti ka ndodhur rreth orës 20:50, kur viktima e ka thirrur ashensorin për ta përdorur dhe pas hapjes së derës ka rënë në hapësirën e ashensorit.
“Ju informojmë se me datë 20.06.2024, rreth orës 20:50 kemi pranuar një informatë për një person të lënduar të dërguar nga Urgjenca në Emergjencën Spitalore. Pasi patrulla është angazhuar në rast, është vërtetuar që rasti kishte ndodhur në Prizren, deri te incidenti kishte ardhur pasi viktima kishte thirrur liftin për ta përdorur, dera e liftit ishte hapur dhe viktima kishte rënë në hapësirën e liftit nga kati i dytë dhe për pasojë viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Viktima nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe kishte ndërruar jetë, nga mjekët e Emergjencës është konstatuar vdekja e personit H. V., femër, lindur me 1977 me banim në Prizren”, ka thënë Bytyqi.
Policia po heton rastin dhe veprimet e mëtejshme do të ndërmerren sipas udhëzimeve të prokurorit.