Autoritete greke njoftuan se një 35-vjeçar shqiptar humbi jetën dhe një tjetër u plagos gjatë një përleshje që ndodhi mes të burgosurve, mesditën e së mërkurës, në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos”, në kryeqytetin grek Athinë.
Sipas mediave greke 35-vjeçari i vrarë është identifikuar si Alfons Doci nga Shqipëria, i cili vuante dënimin për dy vrasje, ndërsa i plagosuri që dyshohet se qëlloi me thikë shokun e tij është 46-vjeçari Altin Vokri nga Kosova, që vuante dënimin për pjesëmarrje në trafikun e drogës.
Sipas autoriteteve greke, Vokri ka një plagë me thikë në shpinë por nuk rezulton të jetë në rrezik për jetën.
Dëshmitë e para në mediat greke flasin se të burgosurit u grindën nëse do të hynin apo jo në qeli për shkak të vapës dhe përleshja u përshkallëzua në një sherr mes të burgosurve në katin e parë të repartit ku janë përdorur thika dhe shkopinj të improvizuar.
Situata në burg sipas mjeteve kryesore greke të informimit mbetet e paqartë dhe pritet një operacion nga organet policore të burgjeve, për të hetuar nëse ka të lënduar apo të vdekur të tjerë gjatë përleshjes.
Sipas një raporti të shtatorit të vitit 2022 të Komitetit Kundër Torturës të Këshillit të Evropës për burgjet në Greqi shumë të burgosur vazhdojnë të mbahen në kushte që paraqesin një cenim të dinjitetit të tyre njerëzor.
Komiteti kishte vërejtur mbipopullimin dhe kushtet e këqija të paraburgimit, dhunën ndërmjet të burgosurve, mungesën e madhe të personelit dhe ofrimin e pamjaftueshëm të kujdesit shëndetësor.
Komiteti u kishte kërkuar autoriteteve greke të sigurojnë që burgjet të lehtësohen nga mbipopullimi dhe të investojnë në staf të mjaftueshëm kompetent për të menaxhuar burgjet dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme për personat e mbajtur në burg. /VoA/