Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës.
Ata ngarkohen për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e marrë më 6 qershor 2024, me të cilin gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.
Gjykata Themelore ka konstatuar se provat janë marrë në harmoni me ligjin, aktakuza nuk përmban të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale dhe se përmban të gjitha elementet e nevojshme që të mund të procedohet në faza tjera.
“Andaj, gjykata konstaton se të gjitha provat dhe aktakuza është ngritur në harmoni me nenin 235 të KPPRK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Mbrojtësi e të akuzuarit Sveçla, avokati Laur Prenaj, në kërkesën e parashtruar kishte kërkuar që aktakuza të hudhej me pretendimin se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.
Po ashtu, ai ka pretenduar se vepra për të cilën akuzohet Sveçla nuk përmban elementet e veprës penale, pasi që sipas tij, nuk dihet se veprimet e të mbrojturit të tij me cilin ligj bien në kundërshtim, me ligjin për armë apo në kundërshtim me ligjin për materie plasëse.
Hedhjen poshtë të aktakuzës e kishin kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarës Pacolli-Dalipi, avokati Lavdrim Salihu, mbrojtësi i të akuzuarës Millaku avokati Labinot Buzuku dhe mbrojtësja e të akuzuarit Zyba, avokatja Laura Pnishi.
Sipas tyre, aktakuza nuk mbështetet në fakte dhe prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të mbrojturit e tyre kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë.
Madje, avokatja e Zybës, Laura Pnishi në parashtresën e saj kishte pretenduar se i mbrojturi i saj është person laik dhe nuk e ka ditur se bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë sipas Kodit Penal të Kosovës dhe se nuk ka pasur për qëllim të dëmtoj askënd.
Lidhur me këto kërkesa, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur përgjigje me shkrim me të cilën ka kërkuar që të refuzohen si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes dhe ka propozuar që të vazhdohet me caktimin e shqyrtimit gjyqësor me qëllim të administrimit dhe shqyrtimit të provave.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Në tetor të vitit 2021 ishte raportuar për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.
Sipas aktakuzës, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.