“Mirëdita, dobar dan” i paraparë të hapet sonte në Beograd, është anuluar. Me urdhër të Serbisë edicioni i 11-të nuk do të mbahet. Ekipi i Kosovës i ndaluar nga Policia e Serbisë rreth 25 kilometra pa hyrë në kryeqytetin e serb, tashmë po kthehet prej nga është nisur.
Pjesëtarë grupesh radikale, tok me zyrtarë me të lartë shtetëror, ia kanë arritur qëllimit kaherë të paralajmëruar që një festival si ky të mos mbahet.
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq ka dhënë urdhrin për ndalim.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë urdhër që të ndalohet tubimi publik ‘Mirëdita, dobar dan!” për shkak të rrezikut për cenimin e sigurisë së njerëzve dhe të pronave prej prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më mëdha”, citohet të ketë thënë Daçiq.
“Kjo është jonormale”, ka qenë komenti i parë i Kushtrim Koliqit, udhëheqës i “Integras” bashkorganizatore e festivalit me Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Iniciativën Qytetare të Serbisë.
Mbi 100 protestues kanë dalë te objektet ku parashihej të hapej festivali.
Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka shkruar në Facebook se në Beograd kanë mbetur edhe 16 pjesëmarrës nga Kosova. Ai ka kërkuar që atyre t’u ofrohet siguri.
Njëzetekatër orë para nisjes së “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd, ekstremistët djathtistë serbë tok me zyrtarë shtetërorë kishin intensifikuar thirrjet për pengimin e mbajtjes së festivalit, i cili në thelb ka prezantimin e kulturës së Kosovës para publikut në Serbi. Ekstremistët haptazi kanë ftuar qytetarët që ta pengojnë “Mirëdita…” përderisa, siç raporton mediumi i Beogradit, “Insajder”, organet shtetërore nuk i kanë dënuar këto paralajmërime “përkundër premtimit të ministrit të Policisë, që do të bëjë gjithçka që është e mundur që të mos ketë prishje të rendit dhe paqes”. “Por në anën tjetër, për herë të parë sivjet, anulimin e Festivalit e kishin kërkuar edhe zyrtarë të lartë”.