Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Nga BE-ja është paralajmëruar se në agjendë do të jenë diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për rrugën e normalizimit të raporteve. Prej të dyja palëve, nga Bashkimi Evropian presin zbatimin e detyrimeve të dialogut pa vonesa e pa parakushte.
“Si pjesë e diskutimeve, palët do të diskutojnë rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të tjera të dialogut. Siç e kemi thënë shumë herë më parë, të dyja palët pritet të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të dialogut pa ndonjë vonesë apo parakushte”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Marrëveshja e vitit të shkuar nuk është zbatuar ende.
Të mërkurën e javës së shkuar Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë, pas kushtëzimit të kryeministrit Albin Kurti të takimit me presidentin Aleksandër Vuçiq.
Përpos dorëzimit të përgjegjësit të sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq, dhe përgjegjësve të tjerë, kryeministri Albin Kurti kushtëzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve, dhe me tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, me të cilën Serbia deklarohet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes bazë.