Lidhja Demokratike e Kosovës në Vushtrri konsideron se gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare për Komunën e Vushtrrisë përbëjnë elemente të veprave penale. Kryetari Xhafer Tahiri i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë këto shkelje ligjore. Sipas tij, raporti i auditorit për vitin e kaluar tregon për performancën më të dobët në historinë e pasluftës për këtë komunë.
Në konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri deklaroi se qytetarët nuk e meritojnë qeverisjen e tanishme.
“Ky raport me të gjeturat e tij është raporti më i keq në historinë e pasluftës për Komunën e Vushtrrisë. Zyra Kombëtare e Auditimit përmes të gjeturave në raportin e auditimit, vërteton shkeljet të rënda të ligjit, keqpërdorim të buxhetit, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtarë dhe autoritetit në Komunën e Vushtrrisë. Të gjitha këto shkelje përbëjnë elemente të veprave penale, të cilat Prokuroria Speciale dhe Prokuroria e Kosovës duhet t’i hetojë ex officio. Zyrtarisht sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Vushtrrisë e ka performancën më të dobët, më të keqe nga të gjitha komunat në nivel të Republikës së Kosovës, dhe kjo është për keqardhje. Qytetarët e Vushtrrisë nuk e meritojnë një qeverisje me performancë kaq të keqe, sepse qytetarët e Vushtrrisë meritojnë më mirë”, tha ai.
Më tej, ai theksoi se kryetari i Vushtrrisë ka dështuar dhe se edhe projektet e realizuara rezultojnë me keqpërdorime të mëdha.
“Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka dështuar jo vetëm të ofrojë projekte në të mirën e qytetarëve të Vushtrrisë, por edhe projektet që janë realizuar rezultojnë se janë kryer me keqpërdorime të mëdha. Raportet e pasqyrave financiare për vitin 2023, ZKA ka regjistruar një sërë shkeljesh të bëra në rastin e shpenzimit të buxhetit të Komunës së Vushtrrisë dhe po ashtu shkelje të detyrave dhe shkelje të tjera të ligjit lidhur me punësimin në Komunën e Vushtrrisë, subvencionimet të organizatave jo qeveritare, lidhur me mbështetjen për rininë, lidhur me mbështetjen për sportin”, theksoi ai.
Në listimin e shkeljeve më flagrante, Xhafer Tahiri përmendi disa nga kontratat të cilat kanë shkelje ligjore.
“Kontrata e punëve për rregullimin e shtratit të lumin Simnica, në vlerë një milion e 49 mijë e 680 euro dhe aneks kontrata në vlerë prej 103 mijë euro. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje të rënda. Ne e ftojmë prokurorinë të hetojë datën kur është nënshkruar aneksi i kontratës dhe datën kur janë kryer pagesat. Kemi informacion të sigurt se data kur është nënshkruar aneksi dhe data kur janë ekzekutuar pagesat në fakt është e pamundur të kryhet punë prej 103 mijë euro për atë periudhë të shkurtër kohore. Kontrata për lumin Llap dhe Simnicë, po ashtu është me shkelje dhe keqpërdorime. Kontrata për renovimin e palestrës në vlere prej 114 mijë euro, është po ashtu me shkelje ligjore”, shtoi Tahiri.
Tahiri tha se edhe kontrata e QKMF-së përbën shkelje ligjore por edhe ajo për menaxhimin e pronave publike dhe të rregullimit të rrugëve. Në të gjitha këto, ai tha se është i involvuar kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
“Një keqpërdorim tjetër i cili është material për Prokurorinë Speciale është shkelja e ligjit në rastin e administrimit të masës drusore në Komunën e Vushtrrisë dhe kontratën për furnizim me dru dhe lëndë djegëse për shkolla. Është fakt i ditur që Komuna e Vushtrrisë kundërligjshëm e ka marrë masën drusore të konfiskuar nga Agjencia e Pyjeve dhe këtë masë drusore ju ka dërguar shkollave në mënyrë të kundërligjshme, sepse ligji nuk e lejon një gjë të tillë. Por, kur Komuna e Vushtrrisë e ka nënshkruar kontratën për furnizim me masë drusore për shkolla në vlerë prej 283 mijë e 420 euro. Ekzistojnë dyshime të bazuara mirë që këto dru asnjëherë nuk kanë ardhur as në shkolla, sepse ato veç janë furnizuar në kohën kur është dashur të furnizohen nga depoja e Agjencisë së Pyjeve, ndërkohë qe thjesht janë kryer pagesat pa marrë masën drusore. Dhe për këtë lëndë, Prokuroria Themelore e Kosovës veç po zhvillon hetime”, përfundon Tahiri.
Për më tepër, Xhafer Tahiri theksoi në konferencë për media se ka raste që komuna ka blerë kamion të zjarrfikësve të vitit të prodhimit 1995, në vlerë prej 70 mijë euro. /KosovaPress