Për të burgosurin Faton Hajrizi, i cili u arratis nga burgu të shtunën, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalë me një komunikatë për media, duke bërë disa sqarimi rreth tij, e për të cilin thonë se i kishin mbetur edhe shtatë vite të tjera burgim.
SHKK sqaron se Hajrizi disa herë në të kaluar ishte larguar nga burgjet, por që siç thonë ata vitet e fundit kishte shfaqur sjellje të mirë.
Poashtu aty thuhet se i burgosuri Faton Hajrizi në Qendrën Korrektuese në Dubravë ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ndërsa thuhet se ka marrë pjesë edhe në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative.
“Prishtinë, 08 korrik 2024 – Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues. I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Tutje, SHKK thotë se sipas rregullores për trajtimin e të burgosurve, të dënuarit mund të vendosen në një institucion të tipit të hapur nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme:
– Janë shfrytëzues të benificioneve;
– Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim;
– Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite.
I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024.
Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale.
Lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit nga burgu, zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.
Pas arratisjes, Faton Hajrizi është shfaqur në platformën “TikTok” duke thënë se nuk ka pasur trajtim të mirë.
Ai ka thënë se ndodhet jashtë Kosovës dhe nuk kthehet në burg.
“Jam larguar nga ai vend se më është bërë zullum në atë vend. Psiqikisht më është bërë zullum, nuk kam mundur më. Në këtë gjendje nuk kthehem më në burg. Aty vuajnë të burgosurit, nuk ipet kushti, nuk trajtohen të gjithë njësoj”, ka thënë ai.