Nga sot, e deri më 11 korrik, liderët e NATO-s do të mblidhen në Uashington, për një samit historik, 75 vjet pas themelimit të aleancës. Takimi vjen në një moment të rrezikshëm në historinë e NATO-s, me aleancën përballë një lufte në Evropë mes disa krizave globale.
Sipas Jens Stoltenberg, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore. E para është rritja e mbrojtjes.
E dyta është mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për të mbrojtur veten, pika “më urgjente” e rendit të ditës. E treta forcimi i partneriteteve globale të NATO-s, “veçanërisht në Indo-Paqësorin”.
Çështje të tjera në axhendën e samitit të NATO-s përfshijnë zhvillimin e një strategjie të re të krahut jugor për të përballuar sfidat në rritje të sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe prezantimin e një sekretari të ri të përgjithshëm, Mark Rutte.
Samiti do të jetë gjithashtu i fundit i Stoltenberg, pasi ai ia dorëzon frenat kryeministrit aktual holandez Mark Rutte.
Kosova, po ashtu, do të përfshihet për herë të parë në një ngjarje në kuadër të samitit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, Presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”, u tha në komunikatën e Presidencën.
Nga Presidenca thanë se përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Washington, Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë.
75 vjet më parë, 12 vende nënshkruan Traktatin e Atlantikut të Veriut në Uashington, DC për të siguruar mbrojtjen e tyre kolektive në një botë të paparashikueshme.