Fjalë Kyçe

Kosova me 1.586.659 banorë rezidentë popullsia

Kosova me 1.586.659 banorë rezidentë popullsia

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave Kosova ka 1.586.659 banorë, prej të cilëve 795.046 meshkuj dhe 791.614 femra.

Deri më tani janë regjistruar edhe 600 mijë banorë jorezidentë.

Raporti gjinor nuk ka ndryshime dhe mbetet i njëjtë. Femra 49.90% ndërsa meshkuj 50.10%.

Vetëm në 9 prej 38 komunave ka rritje të numrit të banorëve rezidentë, ndërsa në 29 të tjera kishte ulje.

Sipas të dhënave preliminare, mosha mesatare e popullsisë është 34.82 vjet.

Sipas ASK-së ka rënie të numrit të banorëve te grupmosha 0-15 vjeç dhe rritje e numrit të banorët mbi 64-vjeç.

Dendësia e popullsisë sipas ASK-së është 145.5 banorë në një kilometër katror.

Komunat me dendësi më të madhe janë Fushë-Kosova 762 banorë në një kilometër katror, Mamusha me 513 banorë dhe Prishtina 434 banorë në një kilometër katror.

Numri mesatar i anëtarëve në një ekonomi familjare në vitin 2024 sipas ASK-së është 4.5 banorë.

Sipas ASK-së në 4 komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut pati bojkotim në masë të madhe, përkundër që një pjesë e tyre thuhet se u regjistruan.

Me rastin e publikimit të këtyre statistikave kryeministrit Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e statistikave, duke thënë se ato janë të rëndësishme për të ardhmen.

“Pa të dhëna të sakta, pa statistika edhe vendimet do të jenë jo të sakta. Në demokraci marrja e vendimeve politike është shumë me rëndësi të mëdha. Unë jam krenar si kryeministër për përkushtimin dhe angazhimin e atyre që morën pjesë në këtë proces. Unë personalisht në një periudhë të shkurtër kohore kam biseduar disa herë ASK-në për të ofruar mbështetjen time. BE, USAID bazohen në të dhëna tjera statistikore për të marrë vendime të tjera. Ky angazhim e rrit integrimin në arenën ndërkombëtare. Një agjenci e fuqishme e statistikave e cila ofron statistika të rëndësishme është një agjenci e çmuar për vendin”, është shprehur Kurti.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, ka theksuar se i gjithë procesi i regjistrimit ka qenë digjital.

Sipas tij të dhënat janë publikuar për rezidentë por edhe për diasporën. Ai ka thënë se procesi i regjistrimit për diasporën do të vazhdojë deri në fund të gushtit dhe i ka ftuar mërgimtarët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u regjistruar.

Sipas tij rezultatet përfundimtare të procesit do të publikohen ne dhjetor të këtij viti.

“Rezultatet përfundimtare nuk pritet të ndryshojnë shumë nga ato paraprake. Në 4 komunat veriore të Kosovës, pati bojkotim në pjesë të madhe, sidoqoftë ka një pjesëmarrje të qytetarëve. Cilësia e të dhënave është më e lartë në krahasim me regjistrimin e kaluar. Teknologjia na mundësi monitorimin dhe publikimin e këtyre të dhënave”, është shprehur Kastrati.