Fjalë Kyçe

S’ka sigurime shëndetësore as nga Qeveria Kurti

S’ka sigurime shëndetësore as nga Qeveria Kurti

Qytetarët nuk pritet të kenë sigurime shëndetësore as gjatë këtij mandatit të Qeverisë aktuale të Kosovës. Kjo pas ligji është në debat publik dhe ende nuk është dërguar në Qeveri e më pas në Kuvend për miratim.

Derisa opozita akuzon Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për neglizhencë dhe mosgatishmëri për ta pas këtë ligj, ky i fundit ka treguar se deri ku kanë shkuar me punën në këtë ligj, si dhe çka parashihet në të.

Kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, ka thënë se ka një tendencë që sigurimet shëndetësore të fillojnë me blerjen e barnave, gjë që nuk e bënë ndryshimin në sistemin shëndetësorë.

“Që nga viti 2014 kur është miratuar ligji për Sigurime Shëndetësore ka pasur tendenca për ta ndryshuar atë. Kjo gjë ka ndodhur nga pafuqia e ministrave për ta zbatuar atë, prandaj janë koncentruar në ndryshime. Mungesa e një ligji të tillë ka ndikim shumë negativ në barrën financiare të grupeve vulnerabile të shoqërisë por edhe për sistemin e brishtë shëndetësor. Ne me këtë trend të zhvillimeve nuk presim që për një periudhë të gjatë të kemi sigurime. Ka një tendencë që sigurimet shëndetësore të fillojnë me blerjen e barnave, por kjo nuk e bëmë ndryshimin që e presim në sistemin shëndetësor, aq më tepër parat e premiumeve të qytetarëve i qon tek oligarkët farmaceutik”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka theksuar se nuk është në interes të Qeverisë që Kosova të ketë këtë ligj.

“Jemi në muajin korrik dhe kemi premtimet e njëjta dhe në arsyeshmërinë e njëjtë të paaftësisë të kësaj qeverie, neglizhencës, por edhe asaj që ne e quajmë se nuk është në interes dhe prioritet që Kosova ta ketë ligjin për sigurime shëndetësore në zbatueshmëri. Edhe pse ne e kemi një ligj i cili është i miratuar, por asnjëherë nuk ka gjetur zbatueshmërinë, defektet nuk kanë përmirësuar sistemi informativ shëndetësorë nga ajo që është parë dhe dëgjuar. Në këto katër vite më shumë është përcjellë me skandale të brendshme dhe shpenzime enorme dhe kjo është gjendja fatkeqësisht ku qytetarët dhe pacientët po përballen akoma me mungesën e ligjit për sigurime shëndetësore. Ne po vuajmë për furnizimin bazikë dhe marrin çdo ditë ankesa kur nuk ka asgjë elementare dhe higjienike në klinika tona, ndërsa Qeveria e paraqet një gjendje tjetër dhe qytetarët janë ata të cilët e vlerësojnë por vlerësohet në kurriz dhe dëm të tyre, sepse ata çdo ditë detyrohen më shumë të blejnë nga gjepi i vet i varfër”, ka theksuar ai.

Sipas deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu kjo është një dështim menaxherial i të gjithë atyre që kanë qenë në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Nuk ka proces, ka ngecje për sigurimet shëndetësore. Ky është viti i fundit i Qeverisjes Kurti dhe ministrit Vitia. Ende ligji për sigurime shëndetësore nuk e kanë sjell në Kuvend, ndonëse e kanë premtuar se do të vijë në fund të muajit qershor… Kjo Qeveri nuk mund të implementojë sigurimet shëndetësore, çështje e cila është duke u pa… Për mendimin tim është dështim menaxherial i të gjithë atyre që kanë qenë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk kanë arritur të implementojnë sigurimet shëndetësore në kuadër të Republikës së Kosovës, sepse kjo pastaj do të ndihmonte dhe do të lehtësonte shumë qytetarë të Kosovës që kanë nevojë për shërbim shëndetësore, të mos detyrohen të shesin pronat e tyre për të mbuluar sigurimet shëndetësore… I varfëron shumë, ndikon negativisht edhe në buxhetin e tyre por edhe vështirësi për të marrë shërbime shëndetësore kualitative ku ata kanë nevojë”, ka shtuar Haxhiu.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë detaje se deri ku kanë shkuar me punën rreth ligjit dhe çka parashihet në të.

“Ligji për sigurime shëndetësore ka kaluar tashmë në konsulta paraprake edhe në diskutime publike…. Në këtë ligj janë duke u marrë në fazën e fundit në adresimin e këtyre komenteve që besoj shumë shpejt do t’i përfundojmë dhe menjëherë pas përfundimit të tyre do të bëjmë përgatitje teknike për ta dërguar këtë ligj në Qeveri për të proceduar pastaj në Kuvend… Ky është alfa dhe omega e funksionalizimit të sistemit shëndetësorë, në anën tjetër qytetarët e republikës ne kemi mund të themi se si kanë qenë disa tentativa në vitin 2015 -16 që po e mbledhim primin 3.5 për qind pa pasur mundësi që të ofrojmë diçka shtesë qytetarëve. Në këtë kuptim të funksionalizimit, mund të themi që filloi sigurimi shëndetësor duke u marrë qytetarëve nga 3.5 për qind. Pra, ajo çka po e bëjmë janë investimet e shumta në të gjithë sektorin e shëndetësisë, në mënyrë që kur të merren nga 3.5 për qind nga xhepi i qytetarëve, të kemi çka t’iu ofrojmë, pastaj do të jetë edhe lista e rimbursueshme, ku një pjesë e mirë e barnave do të jenë pa pagesë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Vitia.

Vetëm në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës arriti ta miratojë Ligjin e ri për sigurime shëndetësore, mirëpo as ky ligj nuk gjeti zbatim.

Pa Sistem Informativ Shëndetësor nuk mund të ketë sigurime shëndetësore. Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH) bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.

Nga viti 2011, Ministria e Shëndetësisë kishte provuar fillimin e zbatimit të këtij sistemi në tri faza, të cilat synoheshin të realizohen deri në vitin 2020. Mirëpo, ky sistem nuk është realizuar. /KP