Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ekzistojnë disa arsye që jo vetëm që qytetarët e Kosovës të mos largohen nga Kosova por madje edhe për të kthehen në atdhe.
Në një fjalim në mbledhjen e 55-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti ka thënë se Kosova ka qeverisje të mirë.
“Tash kemi rritje ekonomike dhe stabilitet institucional, progres shoqëror me qeverisje të mirë, sundim të ligjit e shtrirje të sovranitetit, lëvizje të lirë e pa viza për shumë vende. Këto janë arsye jo vetëm për të qëndruar në Kosovë, por edhe për tu kthyer në atdhe”, është shprehur Kurti.
Ai ka folur edhe për regjistrimin e mërgatës, dhe u ka bërë thirrje atyre që të vazhdojnë ta bëjnë këtë.
“Regjistrimi online i mërgatës po vazhdon. Ai është i hapur deri në fund të muajit gusht e edhe nga këtu sot u bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tonë të dashur që patjetër të regjistrohen ata të cilët tashmë nuk e kanë bërë këtë gjë dhe jo vetëm kaq”, ka deklaruar kryeministri.