Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Në letrën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila u është dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.
Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet në koalicion me Partinë “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani, e cila tash është Presidente e Republikës. Së fundmi,
Kryeministri Albin Kurti kishte ftuar partitë politike për një takim, ku ishte hapur edhe tema e zgjedhjeve. Aty kishte shkuar vetëm lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kishte kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve gjatë muajit qershor. LDK dhe AAK nuk ishin pajtuar të shkonin në zgjedhje, duke shpërndarë Parlamentit, por kërkuan dorëheqjen e Qeverisë.