Fjalë Kyçe

Deputeti i PDK-së kërkon që ministrja e Drejtësisë të japë dorëheqje

Deputeti i PDK-së kërkon që ministrja e Drejtësisë të japë dorëheqje

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka bërë thirrje që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të japë dorëheqje.

Haxhiu ka thënë për “Ekonomia Online”, se ministrja e Drejtësisë ka dështuar në hartimin e ligjeve të cilat kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe janë rrëzuar më pas nga Kushtetuesja.

“Jo vetëm që do të duhet të jap dorëheqje, por mendoj që as nuk do të duhej të ishte fare e emëruar si ministre e Drejtësisë duke e pasur parasysh që qysh nga fillimi i mandatit të saj ata paradite e kishim në seancat gjyqësorë për veprat të cilat akuzohej, dhe pasdite në Ministrinë e Drejtësisë. Është ministre e dështuar edhe në aspektin e punës së saj në hartimin e ligjeve të cilat kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe janë rrëzuar nga kjo gjykatë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, nuk mjafton vetëm dorëheqja e ministres, por duhet të japë përgjegjësi për deklarimet e saj “të pamatura që kanë shkaktuar një kaos në opinionin publik”.

Me papërgjegjësinë e saj, në përpjeke për të krijuar familjarëve të saj lehtësira në burgje, ka shkaktuar një kaos në sistemin e burgjeve duke i krijuar mundësi të tjerëve që të ikin nga burgjet ose të ikin organeve të drejtësisë. Sigurisht që për këtë nuk mjafton vetëm dorëheqja por duhet edhe përgjegjësia morale dhe penale për deklarimet e saj të pa matura të cilat me të vërtetë kanë shkaktuar një kaos në opinionin publik”, shtoi Haxhiu.

Deputeti i PDK-së ka thënë se ministrja ka dështuar edhe në aspektin e riformimit të sistemit të drejtësisë.

“Në aspektin e riformimit të sistemit të drejtësisë është dështim total, në vazhdimësi ka sjell në Kuvend ligje të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe për këtë do të duhej të jepte llogari edhe për shpenzimet të cilat ja ka bërë buxhetit në hartimin e projektligjeve, por edhe shpenzime që janë krijuar në Gjykatën Kushtetuese të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Përpjekja e saj ka qenë për ta kapur në kontroll sistemin e drejtësisë, dhe jo për ta riformuar atë dhe kjo është dështimi tjetër i ministres. Kjo është një arsye shtesë për të jap dorëheqje, një ministre e ndërgjegjshme e drejtësisë në momentin që Gjykata Kushtetuese ia rrëzon vetëm një ligj jep dorëheqje. Për Haxhiun kjo është bërë disa herë. Nuk po jep dorëheqje sepse i pëlqen pozita, krejt çka ka ndryshuar është vetëm loku i saj asgjë më shumë për të mirën e qytetarëve”, theksoi deputeti.