Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se edhe pas më shumë se një muaji që nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese ku konstatohet se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën, aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar.
Murati ka thënë se janë dhjetëra-mijëra punëtorë që po e presin hyrjen në fuqi të këtij ligji.
“Aktgjykimi i plotë për Ligjin për Pagën Minimale ende nuk është publikuar, megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese që konstaton se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën. Janë me dhjetëra mijëra të punësuar që po e presin tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji, e me të edhe rritjen e pagës së tyre”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas Muratit, ky ligj nuk mund të hyjë në fuqi për shkak të mospublikimit të aktgjykimit të plotë.
Të njëjtën akuzë ndaj këtij institucioni e pati edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Haxhiu ka thënë se vonesat e tilla janë goditje ndaj reformës.
“Edhe sa ditë të tjera i duhen Gjykatës Kushtetuese? Kanë kaluar më shumë se një muaj nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme por ende nuk është publikuar Aktgjykimi i plotë. Rrjedhimisht, po bëhen 518 ditë prej kur Gjykata e ka në trajtim këtë reformë të rëndësishme. Vonesat e tilla vazhdojnë të jenë goditja e radhës ndaj reformës dhe qytetarëve”, ka shkruar ajo në Facebook.