Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës i ka reaguar Qeverisë pasi kjo e fundit ka deklaruar se përkrahja financiare për “Trepçën” varet nga zotimi se do të rifillojë rritja e prodhimit.
Sindikata ka thënë se minatorët kanë qenë gjithmonë dhe janë të gatshëm për llogaridhënie, por se nuk janë ata që duhet të japin llogari për menaxhimin dhe financat e ndërmarrjes.
Ajo është shprehur përmes reagimit se minatorët e kanë dëshmuar obligimin me prodhim sa më të lartë “edhe pse pa kushtet elementare për punë siç ështje siguria në punë që çdo herë kemi qenë të rrezikuar”.
“Ata të cilët duhet të japin llogari në vijë të parë është menxhmenti dhe bordi të cilët gjithmonë i ka emëruar Qeveria, pra aty është vendi ku duhet kërkuar përgjegjësia dhe llogaridhënia. Si përgjigjen më të mirë nëse nuk e dini jua ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit që në ndërmarrjen Trepça SH.A ka pasur keqmenaxhim në të gjitha pikat e auditimit”, thuhet në reagim.
Sindikata ka kërkuar reflektim të Qeverisë që të kërkojë llogaridhënie nga menaxhmenti dhe jo minatorët.
“Mjaft më është koha që të reflektoni ju si qeveri sepse ne si minatorë ju kemi paralajmëruar shumë kohë më parë, pakënaqësinë tonë jemi munduar tua shfaqim edhe me ngujimin në miniere e me greva, por si duket as kjo nuk paska mjaftuar. Kuptojeni nuk jemi duke kërkuar diçka jo legjitime, po e kërkojmë shpagimin e mundit tonë, pra pagën që buron nga Ligji i Punës. Mos i dënoni minatorët, kërkoni llogaridhënie nga ata që keqmenaxhuan”, thuhet në reagim tutje.