“Jo shumë xhudistë kanë fituar dy medalje olimpike. Edhe më pak e kanë bërë këtë në dy kategori të ndryshme. Distria tani është në mesin e tyre”.
Kështu ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) në një rrëfim për xhudisten kosovare.
Distria në Paris e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Në Tokio 2020 kishte fituar të artën në kategorinë deri në 48 kilogramë.
Distria ka folur për rëndësinë e medaljes. Ka thënë se është gjë e madhe.
“Isha e dëshpëruar vetëm për pak minuta me të argjendtën. Por pasi fola me trajnerin Kuka, isha në rregull. Dy kategori, dy finale. Jam e lumtur me rezultatin dhe jam krenare me veten”, ka thënë Distria Krasniqi.
Ajo ka folur edhe për ndjenjën e veçantë pas fitimit të medaljes. Këtë ndjenjë po e përjeton për herë të dytë.
“Kam folur me shumë sportiste për ndjenjën pas fitimit të medaljes. Pas Tokios ishte më e theksuar pasi isha shumë e fokusuar dhe të nesërmen u largua e gjitha. Nuk kishte më asgjë për të menduar. Po e ndiej sërish këtu, një lloj boshllëku, por nuk është aq i madh këtë herë. E di që do të jetë në rregull, kam qenë më herët në këtë situatë. Është realitet i çuditshëm për ne kur e shpenzojmë gjithë energjinë për të arritur në këtë pikë, ia dolëm apo jo, kështu që shpesh nuk ka asgjë para ndeshjes, nevoja për fokus zhduket. Do ta menaxhoj këtë ndjenjë më mirë këtë herë dhe pas disa javësh do të kalohet. Do ta shijoj këtë rezultat”, ka treguar Distria për gjendjen emocionale të saj pas garës në Paris.
Ajo ka konfirmuar se do të vazhdojë me stërvitje, duke mos menduar për Lojërat e ardhshme Olimpike që janë ende larg. Ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tretë në Olimpiadë megjithatë, nëse gjërat shkojnë mirë. “Përfundimisht nuk jam gati për t’u ndalur. Ciklin e ardhshëm do ta marr më me qetësi, ndonëse e kam thënë këtë pas Tokios po ashtu, por nuk ndodhi kështu. Trajneri Kuka gjithashtu më tha që të mos mendoj për lojërat e ardhshme, të pushoj, të marr kohën e duhur dhe të rikuperohem”.
Distria ka treguar se ishte shumë e fokusuar në gjysmëfinale dhe se finalja i erdhi shumë shpejt. Në finale e ka pritur Uta Aben.
“Isha shumë e lumtur për fitoren në gjysmëfinale dhe nuk jam rifokusuar për Diyoran. Po ashtu kam punuar shumë për t’u përballur me japonezen në finale. Kemi punuar për të analizuar secilën, sidomos Utan. Kisha kundërshtare tjetër prej asaj që e kam pritur dhe vetëm pak kohë për të bërë ndryshimin. Gjithsesi Diyora ishte e fokusuar ndaj të gjithave dhe ishte e shkëlqyer. Ajo e meritoi të artën”, ka vlerësuar Krasniqi.
Distria ka folur për rëndësinë e medaljes dhe për kontributin e xhudos për vendin.
“Si ekip, jo vetëm një medalje apo rezultat, ne jemi të rëndësishëm për vendin. Medalja e dytë në Lojëra Olimpike më sjell shumë respekt po ashtu. Medalja e Majlindës ishte më e madhja për ne, ishte medalje që ndryshoi jetët. E imja dhe e Norës kanë kontribuar në të gjitha sportet në Kosovë. Sportet e tjera tani kanë investime më të mëdha pasi ne jemi bërë ambasadorë të vendit. E kemi treguar se përmes sportit mund të dalim mbi të gjitha problemet që kemi pasur së fundmi”.