Edhe një tjetër person është arrestuar për rastin e rëndë që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Bresje të Fushë Kosovës, ku një grua mbeti e plagosur pas të shtënave me armë zjarri që dyshohet se u shkrep nga bashkëshorti i saj, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes raportit 24 orësh, Policia njofton se i arrestuari i dytë dyshohet se ka marrë armën që dyshohet se u përdor në rast, për ta larguar nga vendi i ngjarjes.
Arma më pas është sekuestruar bashkë me tre fishekë dhe me tri gëzhoja, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë njëri nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës kosovare, ndërsa i dyshuar tjetër pas dyshimeve se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë. Pistoleta me tre fishekë dhe tri gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Po ashtu në mbajtje është dërguar dje edhe bashkëshorti i viktimës, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.
Ai më 2 gusht ishte ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pasi i njëjti ishte denoncuar për dhunë në familje. Ndaj tij, Prokuroria fillimisht kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një komunikatë për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të marrën se në seancën fillestare ndaj të dyshuarit, ishte marrë parasysh gjendja shëndetësore e të dyshuarit dhe ndaj të njëjtit është propozuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. Por kjo ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, më datë 02.08.2024 në ora 17:30, ka ndaluar të pandehurin I.A, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhunë në familje’’ nga neni 248 të KPRK-së.
Ju njoftojmë se më datë 04.08.2024, Prokurori i Shtetit ka ngritur Aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.
Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në komunikatë.
Gjyqtari i procedurës paraprake kishte marrë vendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo viktimës së rastit.
I dyshuari tashmë po hetohet për veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Mospërfillje e Gjykatës’ dhe i njëjti ndodhet në masën e ndalimit policor.
“Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’ nga neni 393 të KPRK-së.
Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale”, thuhej dje në komunikatën e Prokurorisë.