Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mbrëmë ka qenë nikoqir i takimit me mërgatën, i cili është mbajtur në oborrin e Galerisë së Arteve në kuadër të Manifestimit “Ditët e Diasporës”.
Gjatë fjalës së tij, Bulliqi falënderoi bashkatdhetarët për investimet që po i bëjnë në vazhdimësi në Kosovë. Ai poashtu i ka informuar ata për mundësinë që Podujeva është duke ofruar për investitorët, duke përmendur Zonën ekonomike, si një mundësi e jashtëzakonshme për ata që duan të investojnë në Podujevë.
Sipas njoftimi në Facebook, në takimin me mërgatën kanë marrë pjesë edhe ministra, deputetë e zyrtarë tjerë nga niveli qendror e lokal.
Një fjalë rasti e mbajti edhe zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, njëherësh edhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi bashkatdhetarët që asnjëherë nuk e harruan atdheun e tyre.