Dhjetë raste të dhunës në familje janë iniciuar gjatë të premtes në Kosovë.
Nga tri raste janë në Prishtinë dhe Gjakovë, dhe nga një rast në Gjilan, Viti, Klinë dhe Istog.
Në mesin e këtyre rasteve, i dyshuari në rastin e Klinës, thuhet se është me të meta mendore. Për të u ankua në polici nëna e tij, e cila tha se ai e ka sulmuar fizikisht.
Policia tha se i dyshuari është dërguar për trajtim te mjeku specialist dhe është ndaluar për trajtim të mëtutjeshëm.
Me nënën njëri nga të dyshuarit nga rastet në Prishtinë nuk u raportua se pati mosmarrëveshje, por me babanë po.
Ai u arrestua nën dyshimin se tentoi të sulmoi fizikisht të atin, dhe për këtë u dërgua në mbajtje.
Dy gra në Prishtinë u ankuan në polici, se burrat e tyre i kanë rrahur. Në njërin nga rastet i dyshuari u dërgua në mbajtje, ndërsa në tjetrin u lirua pas intervistimit, ndërsa gruas së tij i është lëshuar urdhër-mbrojtës.
Edhe në Gjakovë, dy gra u ankuan për burrat e tyre. Njëra nga to tha se është sulmuar fizikisht, ndërsa bashkëshorti i saj për këtë u dërgua në mbajtje.
Ndërsa burri tjetër ra në pranga nën dyshimin se në vazhdimësi e ka keqtrajtuar gruan e tij, e për këtë arsye u dërgua në mbajtje.
Nën dyshimin se e ka rrahur gruan u arrestua në Viti, edhe një i dyshuar me nënshtetësi të Belgjikës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Për dallim me rastet e lartpërmendura ku viktima janë gratë, në Gjakovë një burrë u ankua se pas ndarjes e dyshuara është duke e shqetësuar përmes telefonit.
Në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se viktima ka kërkuar urdhër-mbrojtës, dhe se i është lëshuar urdhër për mbrojtjen e përkohshme emergjente nga policia.
E dyshuara është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt.
Mes çiftit bashkëshortorë jo, por mes baballarëve dhe djemve pati mosmarrëveshje në Gjilan dhe Istog.
Në rastin e Gjilanit, thuhet se dy të dyshuarit kishin një mosmarrëveshje mes veti. Ndërsa gjatë intervistimit njëri nga ta ka pranuar se posedon një pushkë gjuetie në shtëpi.
“Në shtëpinë e të dyshuarve është gjetur dhe konfiskuar pushka e gjuetisë me gjashtë fishekë të kalibrit 12 GA. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha policia, përcjell Klankosova.tv.
E rasti në Istog ka të bëj me ankesën e një personi i cili i tha policisë se ka probleme të vazhdueshme me babanë e tij.
“I dyshuari është intervistuar. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, shkruan në raportin 24-orësh të policisë.