Fjalë Kyçe

Feraj: Hovenier e di se ushtarët amerikanë nuk rrezikohen nga shqiptarët, me siguri Ramushi ka kërcënu serbët e tipit Radojçiq

Feraj: Hovenier e di se ushtarët amerikanë nuk rrezikohen nga shqiptarët, me siguri Ramushi ka kërcënu serbët e tipit Radojçiq

Këshilltari i Kryeministrit Albin Kurti, Hysamedin Feraj, i ka reaguar kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili tha mbrëmë se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, do të trajtohet si armik i Kosovës, pavarësisht shtetësisë e pozitës. Deklarata e Haradinajt erdhi pasi Ambasadori i ShBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se hapja e Urës së Ibrit në këtë kohë mund të rrezikojë ushatarët amerikanë.

Feraj ka thënë se Hovenier e di se ushtarët amerikanë nuk rrezikohen nga shqiptarët, dhe se “me siguri Ramushi ka kërcënu serbët e tipit Radojçiq, me shtetësi të Kosovës, dhe mbase indirekt presidentin e Serbisë si urdhërdhënës të dhunës”, raporton Express.

“A nuk tregove këtë trimëri, këtë mençuri, e këtë koherencë mendimi dhe qëndrimi edhe në Zhleb e Çakorr, ashtu si tani për urën?”, ka shkruar tutje Feraj.

Ndryshe, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Pas kësaj deklarate, reagoi Haradinaj i cili tha se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, është vetëm kundër Kosovës dhe si armik i Kosovës do të trajtohet!

“Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen! P. S Të gjithë ju që keni përgjegjësi shtetërore, nëse e gjeni veten këtu, pas lutjes (edhe publike) amerikane për Qeverinë e Kosovës, dijeni se s’do ta keni mbrojtje petkun që ju mbështjellë përkohësisht!”, shkroi Haradinaj.