Fjalë Kyçe

Osmani njofton zyrtarisht për takimin me shefin e CIA: Aleanca me SHBA garancë për siguri, paqe e sukses

Osmani njofton zyrtarisht për takimin me shefin e CIA: Aleanca me SHBA garancë për siguri, paqe e sukses

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar zyrtarisht për takimin e djeshëm që pati me Shefin e CIA’s, William Burns.

Osmani ka thënë se aleanca me SHBA’të, është garancë për siguri, paqe e sukses, raporton Express.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar Osmani, derisa ka publikuar edhe foto nga takimi.

Burns është takuar sot edhe me Kurtin.

Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që raportohet se pati në Beograd dje dhe Bosnjë të mërkurën.

Për vizitën në Serbi, nuk ka dalë ende asnjë detaj. Madje nuk është konfirmuar ende.

Ndërkohë, në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Një zyrtar i Qeverisë amerikane, ka deklaruar për REL se arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.

Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.