Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet të ndërrohet Qeveria në zgjedhjet e shkurtit të vitit të ardhshëm, që Kosova të jetë pjesëmarrëse në Samitin e NATO’s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.
Sipas tij, pas ndërrimit të Qeverisë duhet angazhim i ngushtë dy vjet pandalur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO’n.
Haradinaj ka thënë se deri atëherë, tranzicioni i ushtrisë do të jetë praktikisht i përfunduar.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka paralajmëruar se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027. Kjo është një mundësi e mirë që Kosova të ketë zërin e vet direkt në Samitin e NATO-s. Deri atëherë, tranzicioni i Ushtrisë sonë do të jetë praktikisht i përfunduar, kjo sipas Planit që kemi futur në funksion në fund të vitit 2018. Por, për të arritur që Kosova të jetë në Samitin e NATO-s në Tiranë më 2027, së pari duhet ta ndërrojmë Qeverinë më 2025 dhe të kemi dy vjet pandalur në angazhim të ngushtë me SHBA dhe NATO”, ka shkruar Haradinaj.