Ndihmëssekretari amerikan për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të koordinohet me ndërkombëtarët, teksa vendimet e këtij të fundit të cilat janë kritikuar shumë nga bashkësia ndërkombëtare i ka quajtur provokuese.
O’Brien ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.
“Siç e bënë të qartë deklarata e ambasadorit amerikan në Kosovë, SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës… I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka thënë O’Brien në llogarinë e tij në X.
Pasi operacionit të Policisë së Kosovës të premten në mbylljen e pesë objekteve të strukturave paralele serbë në veri, Ambasada amerikane në Kosovë ka thënë se dështimi i Qeverisë për të reflektuar karshi kërkesave të ndërkombëtarëve përkeqëson partneritetin mes tyre.